Familja e Shëjtë – model i familjës së Krishterë†

˙·٠•●★
https://www.facebook.com/pages/Familja-Sh%C3%ABjt%C3%AB-sh%C3%ABmbull-p%C3%ABr-%C3%A7do-Familj%C3%AB-Katolike-Familj%C3%ABt-Katolike/1505556309670287?fref=ts

★●•٠·˙

Festën e Krishtlindjës ne të Krishtërë e festojmë si festë të posaçme familjare, pra në Familje.
Familja më së shumti bashkohet për Krishtlindje.
Më së shumti rrimë së bashku për Krishtlindje.
Më së shumti dashurinë e tregojmë njëri ndaj tjetrit pikërisht për Krishtlindje.

Përveç kësaj Kisha në javën e Krishtlindjes ka vendosur edhe festën e Familjes së Shenjtë të Nazaretit: Familjen e Jezusit, të Virgjrës Mari dhe të shën Jozefit.
Kjo familje është model dhe ideal i familjeve tona.



Familja ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe në jetën e njeriut.
Nga familja varet krejt shoqëria njerëzore.
Në qoftë se familja është e shëndoshë – edhe e tërë shoqëria do të jetë e shëndoshë.

Shkatërrimi i familjes në një popull është fillim i shkatërrimin i tër popullit. Pse? – Sepse njeriu, si qenie shoqërore, lind, rritet, jeton dhe vdes brenda familjes.





Familja e shëndoshë lind dhe rrit fëmijët pak a shumë të shëndoshë.

Familja me moral të lartë do të edukojë edhe fëmijët e moralshëm.

Familja atdhetare do të edukojë edhe fëmijët atdhetarë.

Familja besnike dhe fetare do të edukojë edhe fëmijët besnikë dhe besimtarë.

Familja ngatërrestare do t’i rritë edhe fëmijët ngatërrestarë.

Familja e hutuar do t’i rritë edhe fëmijët e hutuar.

Familja e shkatërruar do të ketë si pasojë edhe fëmijët e shkatërruar.


†††


Pra më së shumti nga familja varet ardhmëria e personit dhe e shoqërisë.

Prandaj familja ka rëndësi të madhe në jetën tonë – dhe këtë rëndësi duhet ta respektojmë.
Shoqëria nuk guxon ta shfrytëzojë familjen për interesat e veta, por duhet ta mbështetë dhe ta mbrojë familjen, si qelizën elementare, si thelbin e shoqërisë.
Më e larta vlerë e shoqërisë është vlera e familjes. Ose populli do ta respektojë shenjtërinë e familjes, ose do të zhduket si popull!

Vlerën më të madhe se familja, ka vetëm personi njerëzor. Sikurse shoqëria nuk guxon ta shfrytëzojë familjen për interesat e veta shoqërore (kombëtare, apo shtetërore), po ashtu as familja nuk guxon ta shfrytëzojë personin njerëzor, anëtarin e familjes, për interesa të përbashkëta familjare.

Krejt familja duhet të jetë në shërbim të personit, ta mbështetë, ta mbrojë dhe ta sigurojë personin dhe t’i ndihmojë në rrugën e realizimit të tij.




† Burri e gjen lumturinë e jetës së vet dhe realizimin e vet personal në bashkim me gruan e vet dhe në fëmijët e vet.

† Gruaja po ashtu realizon vetveten si person njerëzor, si grua dhe si nënë – në bashkim me burrin e vet dhe me fëmijët e vet.

† Fëmija jo vetëm se lind prej prindërve të vet, por së bashku me ta rritet në moshë, urti dhe hir para Zotit dhe para njerëzve.


Të gjithë janë të lidhur njëri me tjetrin, varen njëri nga tjetri, realizojnë vetveten në bashkim me të tjerët dhe njëkohësisht u ndihmojnë të tjerëve në realizimin e personit të tyre, duke krijuar së bashku atmosferën e mirëbesimit, të dashurisë, të gëzimit dhe të lumturisë.


†††


Ta kërkojë realizimin e vetvetes jashtë familjes – është rrugë e gabueshme për njeriun, që është krijuar si qenie shoqërore, e para së gjithash familjare.

Rruga e realizimit personal jashtë familjes njësoj është e gabueshme për burrin, sikur për gruan, apo për fëmijën. Ata mund të jenë të lumtur vetëm si pjesëtarë të familjes së shëndosh, në të cilën gjithkush respekton gjithkënd dhe në të cilën gjithkush vullnetarisht sakrifikohet për gjithkënd, për të mirën e përbashkët, e nuk sakrifikon askënd për interesin e vet personal, që do të ishte kundër interesit të përbashkët.

Ndarja nga një familje është e arsyeshme vetëm kur njeriu në mënyrë të natyrshme dhe të ligjshme krijon familjen tjetër, apo bëhet pjesëtar i familjes tjetër – e jo duke u izoluar nga familja, apo duke e ndarë familjen në mënyrë jo të natyrshme.
Nuk mund të ndahet familja në mënyrë të drejtë dhe të shëndoshë duke u ndarë burri e gruaja dhe duke i ndarë me matematikë fëmijët për gjysmë. Ajo është shkatërrim total i familjes. Edhe në qoftë se një anëtar ndahet nga familja, mbetet i cunguar edhe ai, edhe familja – qoftë ai burrë, grua, apo fëmijë.

Vetëm kur një djalë martohet, mund të ndahet në mënyrë të natyrshme nga familja e vet, pasi krijon familjen e re. Po ashtu edhe kur vajza martohet, ajo ndahet në mënyrë natyrore nga familja e vet – jo për t’u izoluar nga familja, apo për t’u endur rrugëve të botës, por për ta krijuar familjen e re.

Diçka e ngjashme është edhe me atë djalë apo vajzë, që i kushtohen jetës meshtarake, apo rregulltare: edhe ata në mënyrë natyrore kalojnë nga familja e vet natyrore në familjen e re kishtare, apo rregulltare. Ata në atë familjen e vet të re e realizojnë vetveten si njerëz, në thirrjen në të cilën i ka ftuar Zoti, e nuk rrinë të izoluar, si skllevër të egoizmit të vet, apo të egoizmit shoqëror, por e gëzojnë dinjitetin e vet njerëzor dhe arrijnë cakun për të cilin i ka krijuar Zoti.





Ti lutemi, pra, sot dhe çdo ditë, gjatë krejt jetës sonë, Familjes së Shenjtë të Jezu Krishtit, të Virgjrës Mari dhe të Shën Jozefit – që t’i përcjellë me bekimet e veta familjet tona dhe secilin prej nesh, që të mund të jetojmë të lumtur në familjet tona dhe të mund t’ua sjellim paqen dhe lumturinë edhe atyre familjeve dhe personave, të cilave kjo lumturi për çfarëdo arsyeje u mungon.

Jezu Krisht, shenjta Mari, shenjti Jozef – dashurisë suaj dhe kujdesit tuaj po i porosis të gjitha familjet tona! Ruajini në dashuri, në mirëkuptim dhe në hir të Zotit, që të jetojnë të lumtura në këtë botë dhe të gëzojnë së bashku edhe lumturinë e amshuar në Mbretërinë qiellore.



♡ ♡ ♡ ✞